Lidhja Demokratike e Kosovës e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, duke rrëzuar Qeverinë Hoti. Por, akuzon Komisionin Qendror Zgjedhor për certifikimin e deputetit Arifi.
Nënkryetari i LDK-së. Lutfi Haziri,ka thënë se LDK-ja çdo herë ka pranuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por që këtë të fundit po e paguajnë për shkak të tjetër kujt, duke iu referuar KQZ-së.
“Vendimi i Gjykatës nga ana e LDK-së është pranuar gjithmonë, pavarësisht cili ka qenë verdikti i saj, pavarësisht cila palë ka dërgua rastin në Gjykatë për të zbardhur dyshime të caktuara. Në këtë rast, Gjykata ka konstatuar që vota e një deputeti ka qenë e pavlefshme për shkak të vendimit të prerë të Gjykatës Supreme, e që në fakt ka të bëjë me organet tjera kushtetuese. Ka të bëjë me KQZ-në, e cila ka certifikuar deputetin dhe nuk ka qenë në varshmëri. Faktikisht, në dëm të tjetërkujt, Qeveria e paguan çmimin tash të legjitimitetit”.
E pas këtij vendimi vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 40 ditësh.
E Haziri thotë se LDK-ja do të hyjë e vetme në garën zgjedhore, teksa tregon nëse kanë vija të kuqe për ndonjë subjekt politik.
Siç thotë ai, LDK do të garojë në këto zgjedhje të parakohshme për të dalë fituese.
“Ne do të garojmë për të dalë fitues, natyrisht si gjithmonë. Lista do të përmbajë emra më kredibil, më përfaqësues dhe përkundër garës së vështirë që pritet me qenë… Nuk do të jetë e lehtë por natyrisht që ne konkurrojmë për të dalë fitues në këto zgjedhje… Nuk pritet ndoshta në raport me LDK-në me ndodh kurrgjë tjetër pos që LDK-ja parimisht do të garojë e vetme. Nëse arrijmë me ndërtua koalicione ideologjike ose koalicione parimore, është çështje krejt tjetër, por jo me rivalët politikë, nuk pritet me pas koalicion me rivalët politikë. Rivalët politik janë Vetëvendosja dhe PDK-ja”.
Nënkryetari i LDK-së thotë se deri më tash si subjekt nuk kanë diskutuar për ndonjë emër për postin e kryeministrit apo presidentit.
“LDK-ja ka ofrua ndihmën e vet për të ndërtuar një konsensus më të gjerë politik për zgjedhjen e presidentit. Por, nuk ka pasur asnjë emër në tavolinë për postin e presidentit apo kryeministrit në opsionin e zgjedhjeve. Tash fillon debati i brendshëm i partive politike për të vendosur emrat për kandidatura”.
Sipas tij, sido që të jetë formula qeverisëse, do të jetë cikël i ri politik në Kosovë.
Kur flet për postin e presidentit dhe krizat politike me të cilat po përballet vendi, Haziri kërkon nga partitë politike që të zotohen për të zgjedhur presidentin në mënyrë që të mos prodhohen kriza të njëpasnjëshme.
“Kemi hyrë në një cikël të krizave politike, që nuk do të jetë e lehtë me e menaxhua për arsye që sistemi operacional zgjedhor nuk favorizon rezultat të pastër asnjëherë dhe nëse e kemi edhe vendimin e Gjykatës, që partia që fiton zgjedhjet nuk arrin brenda 14 ditëve me e ndërtua qeverinë, mandej kalon tek partia e dytë, kjo stimulon koalicione dhe kanë me qenë interesant zhvillimet. Por, për postin e presidentit, do të jetë jashtëzakonisht vështirë me i pas 80 deputetë për një president, i cili do ta merr shumicën. Në rast se dështojmë me e zgjedh një president, prapë vendi rrezikon me shkua në krizë. Kriza është e paralajmëruar, do të doja që vërtet partitë politike me hy me zotim që këto zgjedhje pavarësisht se si do të del rezultati dhe kush do të jetë ai që do të udhëheq me këto institucione me e dhënë një zotim që presidenti me u zgjedh dhe mos me lejua prodhimin e krizave të reja politike në Kosovë”, ka thënë Haziri.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Hetem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses./kp