Pas më shumë se dy muajsh, kjo është fundjava e parë pa kufizime, që në mes të muajit mars, kur në vendin tonë rezultoi personi i parë pozitiv me covid-19. Kjo e shtunë dhe e diel do të jenë si ditë normale, ku do të mund të dalin të gjithë qytetarët dhe pa kufizime oraresh.
Ndërkohë edhe bizneset do të jenë të gjitha të hapura pa asnjë kufizim, si dhe lokalet e restorantet. I vetmi kufizim do të jetë lëvizja e qytetarëve nga zonat e kuqe në zonat e gjelbra, deri të hënën e 1 qershorit, kur do të hiqet edhe ky kufizim.
Ndërkohë, duke filluar nga 1 qershori do të hapen edhe kufijtë tokësorë me vendet fqinje, çerdhet e kopshtet, kampionatet sportive pa praninë e publikut, parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë.
Prej 1 qershorit edhe plazhet do të hapen, por vetëm për hotelierët, ndërsa për të gjithë qytetarët nga data 6. Mbetet ende mbyllur transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë me Ministrinë e Transporteve.