Hetimi për trafikimin e 113 kg drogë, i nisur vite me parë nga Policia e Kosovës, ka zbuluar një rrjetë tjetër të krimeve.
Përgjimet në hetimin për tre të dyshuar për trafikim droge, sipas informatave të “Kohës”, kishin zbuluar përfshirjen e kryeinspektorit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Arben Mustafa.
Ai, sipas hetuesisë, ua ka rregulluar dokumentet e udhëtimit me identitet të rremë, tre të dyshuarve për trafikim droge.
Policia e Kosovës për këtë rast të falsifikimit të dokumenteve, muaj më parë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori për Mustafën.
Kurse, të enjten ai është arrestuar për një rast tjetër ku ai ka qenë ndërmjetësues ryshfeti mes palëve që kanë qenë objekt hetimi, e policëve që po hetonin rastet.
Përveç Arben Mustafës, në pranga kanë përfunduar edhe Lavdim Osmani, Lutfi Menxhiqi, të dy hetues policorë.
Megjithatë, të dy hetuesit janë arrestuar nga Inspektorati Policor të mërkurën, të dyshuar për një rast tjetër korrupsioni.
Gjithashtu, të enjten në mëngjes, është arrestuar edhe hetuesi tjetër Skënder Xhema.
I arrestuar është edhe një biznesmen nga Kaçaniku, i dyshuar në këtë rast.
Hetuesi policor i arrestuar, Lavdim Osmani, ka lidhje familjare me drejtorin e Drejtorisë së Hetimeve, Bashkim Spahiu.
Aksionet e Policisë dhe Inspektoratit, pa komunikim të ndërsjellë, kanë vënë në pah moskoordinimin mes tyre.
Gjatë vitit të kaluar janë arrestuar për korrupsion edhe dy hetues të tjerë të krimeve ekonomike, në rastin e keqpërdorimeve me patentë shoferë.
Policia thotë se këto raste kanë dëmtuar rëndë imazhin e këtij institucioni.