Më shumë se 263,000 njerëz janë zhvendosur nga Gaza gjatë sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite, me këtë shifër që “pritet të rritet më tej”, ka thënë Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) herët të mërkurën.
Kjo shifër përfaqëson më shumë se një në 10 të popullsisë në enklavën me popullsi të dendur të Gazas.
Midis të zhvendosurve, të paktën 175,486 njerëz po kërkojnë strehim në shkollat e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët, ndërsa rreth 3,000 njerëz mbeten të zhvendosur për shkak të përshkallëzimeve të mëparshme, tha OCHA në përditësimin e saj.
Kjo shënon numrin më të madh të palestinezëve të zhvendosur brenda vendit që nga përshkallëzimi 50-ditor i armiqësive në vitin 2014, sipas OCHA.
“Kjo po rrit ngarkesën e rasteve për organizatat humanitare për t’i përmbushur nevojat themelore të njerëzve të zhvendosur për strehim, shtrat, ushqim, ujë dhe objekte sanitare,” thotë agjencia e OKB-së.
Sulmet ajrore izraelite i kanë shënjestruar instalimet e telekomunikacionit, duke shkatërruar dy nga tri linjat kryesore për komunikimet celulare që ka ndërprerë shërbimin celular dhe të internetit, thotë OCHA.
Nevojat bazë siç janë qasja në ujë janë bërë gjithashtu një sfidë për shkak të dëmtimit dhe reduktimit të furnizimit me energji elektrike në infrastrukturën e ujërave të zeza, thotë OCHA. Në Beit Lahia dhe zonat veriore, ujërat e zeza dhe mbetjet e ngurta janë grumbulluar në rrugë për shkak të dëmtimit të linjave të ujërave të zeza dhe infrastrukturës, shtoi ai.
Qeveria e kontrolluar nga Hamasi në Gaza tha të mërkurën se furnizimi me energji elektrike “do të ndalojë plotësisht brenda disa orësh”, duke e kufizuar aftësinë për të ofruar shërbime bazë.
Pak kontekst: Një krizë humanitare po shpaloset me shpejtësi në Gaza, ndërsa banorët e bllokuar, shumicës prej së cilëve u është ndërprerë ushqimi dhe energjia elektrike, përballen me një ditë të pestë të sulmeve ajrore izraelite në përgjigje të sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit.
Më shumë se gjysma e popullsisë së saj prej 2,3 milionë banorësh jeton në varfëri dhe është me pasiguri në ushqim, me gati 80% që mbështeten në ndihmën humanitare.
Të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i bëri thirrje Hamasit t’i ndërpresë sulmet e tij ndaj Izraelit dhe t’i lirojë pengjet dhe u kërkoi të gjitha palëve që ta qasjen e OKB-së për të ofruar ndihmë humanitare për palestinezët e bllokuar në Gaza./CNN