Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për situatën në Kosovë dhe tema të tjera aktuale në Ballkanin Perëndimor në një takim të rregullt të hënën.
Sipas njoftimit nga Zyra e BE-së, ministrat do të diskutojnë për marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, çështjen e konvertimit të targave dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Takimi i ministrave të BE-së gjithashtu është paraparë si përgatitje për samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë të Shqipërisë.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, njoftoi të premten për takimin që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Paris.
Borrell i kërkoi Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq nga serbët në Kosovë kërkoi rikthimin në institucione.