Zviceranët do të votojnë nesër nëse do të heqin dorë nga lëvizja e lirë me vendet e Bashkimit Evropian. Mbështetësit e nismës thonë se kjo do të sjellë më shumë kontroll në kufijtë e vendit duke zgjedhur vetëm emigrantët më të preferuar.
Kurse kundërshtarët thonë se diçka e tillë do të fusë vendin në recesion dhe do të heqë të drejtën e qindra mijëra zviceranëve për të jetuar e punuar në Evropë. Ministri i drejtësisë tha se mund të krijohet një situatë “më e keqe se Brexit”.
Zvicra ka vendosur kohë më parë të mos jetë pjesë e BE, por dëshiron të ketë akses në zonën e tregtisë së lirë dhe të bashkëpunojë me Brukselin për çështje si transporti, mjedisi, puna kërkimore dhe arsimi.
Propozimi vjen nga partia e djathtë zviceriane e popullit.