Sonte do të zhvillohet ndeshja e Ligës së Kombeve, që vë përballë Serbinë e Zvicrën në Leskovc.
Qysh kur u mor vesh se do të kemi një përballje të tillë, fokusi kryesor ka qenë te lojtari me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka, për shkak të së kaluarës së tij në ndeshjet me Serbinë, ku kishte qenë protagonist kryesor në triumfet e Zvicrës.
Por, historia e Xhakës nuk fillon këtu.
Historia e Xhakës me Serbinë daton që nga koha kur babai i tij, Ragip Xhaka ishte burgosur për shkak të demonstratave të vitit 1986.
Ragip Xhaka si 22-vjeçar arrestohej e dënohej me 6 vite burgim nga autoritetet serbe.
E, pas këtij rasti, familja Xhaka emigruan jashtë vendit, për t’u vendosur në Zvicër, aty ku Graniti do të shkruante historinë.
Në konferencën e djeshme për shtyp, emri i Granit Xhakës po ashtu u përmend gjatë. Kjo ishte njëra ndër konferencat më të gjatë që Serbia i ka mbajtur ndonjëherë, shkaku i historisë së kësaj përballje.
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkovic e ka përsëritur edhe një herë se e çmon Granit Xhakën si lojtar, dhe e cilëson si lojtarin kryesor të Zvicrës.
Ai po ashtu shtoi se e vetmja gjë që e shqetëson rreth Granit Xhakës, është se ai është një lojtar i madh.
“Ajo që më shqetëson rreth Granit Xhakës është se ai është një lojtar i madh. Po, Xhaka do të jetë problem të shtunën, por do të jetë vetëm problem futbollistik për ne. Kam folur me lojtarët e mi për këtë dhe kam thënë se nuk duhet të ketë provokime nga ana jonë dhe shpresoj që e njëjta gjë të jetë edhe nga pala zvicerane”, ka thënë Dragan Stojkovic, trajner i Serbisë.
Xhaka, së bashku me Zvicrën ateruan mbrëmë në Serbi, derisa edhe në aeroport, Graniti ishte në qendër të vëmendjes të të gjithëve.
Para lojës së sontshme, Granit Xhaka po ashtu ka qenë prezent në shumicën e mediave online të Serbisë, me foton e tij që qëndronte në ballinat kryesore të mediumeve serbe, sa herë përmendej kombëtarja zvicerane.
Përpos Granit Xhakës, i ftuar te kombëtarja e Zvicrës për ndeshjen e sotme është edhe Andi Zeqiri, por me shumë gjasë, ai nuk do ta nisë nga fillimi.