Ai ka vendosur të bëjë investimin e tij të parë në Kosovë, në kompaninë dua.com në vlerë prej 1 milion euro. Në këtë shumë përfshihen servera dhe platforma të ndryshme teknologjike të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e aplikacionit.
Dy ndërmarrës nga Zvicra, me origjinë shqiptare së fundmi kanë themeluar platformën dua.com e cila ka për synim bashkimin e shqiptarëve kudo në botë përmes teknologjisë digjitale.
Duke pasur parasysh se shqiptarët janë ndër popujt më të shpërndarë në botë kjo ide e biznesit ka për qëllim të ndihmojë ata të krijojnë lidhje kuptimplota e serioze me njëri tjetrin. E kjo do të mundësohet në tri kategori të ndryshme: dashuri, ndihmë dhe biznes përmes aplikacionit i cili aktualisht është në zhvillim e sipër.
Pikërisht kjo ide ka tërhequr vëmendjen e një numri të madh të investitorëve si shqiptarë gjithashtu edhe atyre të huaj, e ndër ta edhe zviceranin Martin Wyss, thuhet në një njoftim për media nga kompania dua.com.
Wyss, një ndërmarrës i suksesshëm nga Zvicra, javën e kaluar ka vizituar Kosovën, ku për një periudhë të shkurtë ka pasur mundësinë të vizitojë disa kompani të ndryshme të ekosistemit startup dhe të njihet me kulturën biznesore.
Gjatë udhëtimit të tij ai ka vendosur të bëjë investimin e tij të parë në Kosovë, në kompaninë dua.com në vlerë prej 1 milion euro. Në këtë shumë përfshihen servera dhe platforma të ndryshme teknologjike të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e aplikacionit.
Kur është pyetur pse ka zgjedhur pikërisht këtë kompani për të investuar ai ka thënë se: Unë e dua idenë dhe konceptin e aplikacionit. Bëhet fjalë për të lidhur njerëz, biznese dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin. E kjo ide funksionon për komunitetin shqiptar si dhe për çdo komunitet tjetër në botë.
Kur shikoj një startup kompani, disa elementë kryesorë përcaktojnë nëse do të jenë të suksesshëm apo jo. A është modeli unik i biznesit? A është koha e duhur? Dhe më e rëndësishmja është ekipi që qëndron pas saj plotësisht i angazhuar dhe i aftë të ekzekutojë atë që ata planifikojnë? Me atë që kam parë në dua.com, unë jam 100% i sigurt se do të jetë një sukses i madh.
Ai më tutje ka shtuar edhe përshtypjet e tij për Kosovën: “Unë vizitova Kosovën dhe u mahnita nga numri i kompanive fillestareve në atë vend. Është shumë e lehtë të ndjehet pasioni që të rinjtë kanë, dhe dua.com nuk do të jetë investimi im i fundit në Kosovë. Unë rekomandoj të vizitoni vendin dhe të shihni vetë se çfarë potenciali ka.”
Vlen të theksohet se Wyss është ndërmarrës me përvojë të gjatë në teknologji digjitale me mbi dhjetë vite të suksesshme në botën e biznesit. Ai sot njihet si investitor, këshilltar në fushën e teknologjisë së informacionit, sporte elektronike, zhvillimin e biznesit, strategjinë e biznesit, transformimin dixhital dhe inteligjencën artificiale.
Ndërsa themeluesit e dua.com Valon Asani dhe Larklind Cerkezi rreth këtij investimi janë shprehur: Jemi të lumtur që ideja jonë po vlerësohet edhe nga investitorë të huaj. Deri tani kemi pasur një interesim të jashtëzakonshem për investime mirëpo jemi duke u treguar të kujdesshëm se kush mund të ketë qasje në kompaninë tonë. Wyss na ka ofruar diçka shumë interesante e cila do të shtojë vlerë në aplikacionin tonë. Ai na ka ofruar platformën e cila bën përputhjen e fytyrës me fotografinë e dokumenteve zyrtare të identifikimit në mënyrë që llogaritë digjitale në dua.com të jenë të verifikuara dhe jo të rreme.
Kompania është themeluar në gusht të vitit 2019, ndërsa lansimi i aplikacionit pritet të bëhet në qershor të këtij viti. Aplikacioni dua.com pritet të thyejë rekorde të shkarkimit për shkak të audiencës së madhe të shqiptarëve. Deri tani ky aplikacion ka arritur të regjistrojë rreth 22.000 testues beta, ndërsa gjatë eventit të lansimit pritet që ky numër të arrijë shifra marramendëse., përfundon komuinikata.