Disa zviceranë, i janë bashkuar nismës së Hoxhë Blerim Musliut, nga Klina, për t’i ndihmuar familjeve në nevojë të kësaj komune.
Këtë e ka bërë të ditur vet hoxha, ku ka shkruar:
“Në ditët vjeshtore me shi, sigurisht se në rrugët e fshatrave nuk është e zakonshme të kalojnë shumë njerëz, e aq më pak të shteteve të tjera.
Por ndryshe ndodhi sot. Në projektin e ndihmave për familjet nevojtare, që tashmë është tradicional, kisha kënaqësinë që përveç atyre që janë bartës të këtij projekti nga mërgata jonë, sot të na bashkëngjitej edhe Andrei, Jeroeni dhe Antoni, si dhe një grup i qytetarëve të tjerë nga Zvicra, të cilët pasi kishin parë realizimin e këtij projekti gjatë viteve të kaluara, shprehën dëshirën që përveç ndihmës financiare të na bashkëngjiten edhe fizikisht për t’i përjetuar ndjenjat e ngrohtësisë që i ofron bamirësia. Për t’i parë nga falënderimi lotët në sytë e pleqve, e buzëqeshjen e fëmijëve, të cilët sikur thonë se varfëria është sprovë që të rëndon nga jashtë, por nga brenda buron forca dhe shpresa për të ardhmen.
U ndjeva i kënaqur që ky projekt ka tejkaluar dimensionet lokale dhe se ndihma që ne i ofrojmë të gjithëve, pa dallim feje a etnie, nuk ka kaluar pa u vërejtur edhe nga sytë e zviceranëve.
Këtë vit shpresojmë ta tejkalojmë numrin e 500 familjeve.
Zoti na bëftë model të dobishëm, ku rrezatimi i besimit të pastër të jetë ndriçues i rrugës për ne dhe të jetë udhërrëfyes për të tjerët!
Një lutje të sinqertë dhe një falënderim të veçantë për mërgatën tonë të dashur, të cilët po ndajnë pasuri nga djersa e tyre.
E një falënderim të veçantë për vëllain Asllan Rudaj dhe vëllain, Artan Sallauka për kontributin e palodhshëm”.