KF Dukagjini e filloi në mënyrën më të keqe edicionin 2021/22 në Albi Mall Superligën e Kosovës, por në xhirot e fundit skuadra nga Klina po tregon kualitet të lartë në fushë.
Njëri nga futbollistët që po veçohet me paraqitjet e tij është edhe i ardhuri gjatë verës te Dukagjini, futbollisti nga Kosova Lindore, Iljasa Zulfiu.
24-vjeçari i ka dhënë energji të re fazës ofensive të skuadrës së Armend Dallkut, duke shënuar dy gola ndaj Prishtinës dhe Llapit, me vlerën e gjashtë pikëve.
Në një intervistë për Gazetën Olle, Zulfiu foli për vështirësitë në fillim të kampionatit, formën e tij momentale dhe ndeshjen e radhës.
Në fillim kishim rezultate negative edhe pse krijonim raste për me shënu po fati nuk ishte në anën tonë. Kishte të bëjë edhe pjesa e komponimit sepse nuk njiheshim shumë mes vete, pasi ka pasur shumë ndryshime brenda ekipit, kurse tash e njohim më mirë njeri-tjetrin dhe i dimë lëvizjet brenda fushës”, tha fillimisht Zufliu.
Sa i përket formës fantastike që po kalon, sulmuesi anësor shpreson që kjo të vazhdojë së bashku me ritmin e mirë të të gjithë ekipit.
“Për momentin jam duke shkuar me ritmin e duhur dhe shpresoj që të vazhdoj me ketë ritëm të mirë që e kemi bashkë me skuadrën sepse gjithmonë trajneri ka besu në aftësitë e tona.”
Dukagjini të dielën e zhvillon ndeshjen e radhës në udhëtim te Gjilani, ndërsa Zulfiu thotë se si në çdo ndeshje tjetër – ekipi i tij luan për pikët e plota.
“Në çdo ndeshje jemi futur për pikë të plota pavarësisht rezultateve, edhe këtë ndeshje kundër Gjilanit synojmë pikët e plota”, vazhdoi Zulfiu për ‘Olle’.
Në fund, futbollisti që po shkëlqen në elitën e futbollit kosovar tha se nga klubi ka një mbështetje të madhe dhe falënderoi tifozët klinas për përkrahjen.
“Marrëdhëniet me klubin janë shumë të mira, prej ditës së parë e kemi pasur mbeshtetjen e klubit për çdo gjë. Gjithashtu edhe tifo-grupi “Hithat” nuk kanë munguar asnjë ndeshje duke na perkrahur dhe në fund jemi duke i shperbly edhe ata për mundin që janë duke e bërë”, përfundoi Iljasa Zulfiu.
Gazeta Olle