Iljasa Zulfiji i ka dhënë lamtumirën Dukagjinit në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai kontribuoi me gol në fitoren e sotme të Dukagjinit ndaj Lirisë (2:1).
Për të ishte kjo ndeshja e fundit me fanellën e klinasve.
Gazeta Express mëson se sulmuesi nga Lugina e Preshevës do të vazhdojë karrierën në Kazakistan.
Zulfiji do të zyrtarizohet së shpejti te Zhenis Astana, klub që bën gara në Premierligën e atjeshme.
Lojtari dhe klubet kanë mbyllur tashmë marrëveshjen. Sulmuesi i krahut të djathtë me klubin nga Astana do të nënshkruajë kontratë 1-vjeçare.
Klubi i Dukagjinit do të ketë në zotërim 50% të kartonit të Zulfijit, për shitjen e tij në të ardhmen.
25-vjeçari ishte pjesë e Dukagjinit nga vera e vitit 2022 dhe ishte ndër më të dalluarit në ekipin e drejtuar nga Armend Dallku.
Ai këtë sezon ka shënuar katër gola në Superligën e Kosovës.
Zulfiji numëron katër gola edhe në katër paraqitje me Dukagjinin në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Te Zhenis Astana luan edhe sulmuesi tjetër shqiptar, Arb Manaj, si i huazuar nga Drita. /Gazeta Express/