Isni Kilaj u arrestua me urdhër të Dhomave të Specializuara në kuadër të hetimeve të Prokurorisë Speciale.
Pas arrestimit të tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka treguar arsyen e arrestimit të Kilajt, raporton Indeksonline.
Sipas ZPS-së, Kilaj është përfshirë në pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave.
Ky është njoftimi i ZPS-së:
Isni KILAJ është arrestuar në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) sipas një urdhri arrestimi të lëshuar nga Prokurorja e Specializuar.
Ai është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesa të panevojshme.
Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në në pajtim me mandatin e vet dhe sipas legjislacionit të Kosovës. Edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative për ZPS-në.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale.