Një zjarr shpërtheu natën e kaluar në kulmin e ndërtesës së gjelbër në qendër të Klinës, duke shkaktuar dëme materiale dhe një situatë alarmante për banorët.
Ndërhyrja e shpejtë e ekipit zjarrfikës me vetëm tre pjesëtarë dhe mjete të kufizuara – arriti të parandalonte një tragjedi më të madhe.
Sipas Ilir Deskut, një nga banorët e prekur kjo situatë është pasojë e punës aspak profesionale nga punëkryesi dhe neglizhencës totale të organeve komunale.
“Pavarësisht paralajmërimeve tona dhe njoftimeve të shumta, askush nuk ka marrë masa. Tash po përballemi me dëme të shumta në banesa.”, ka shkruar mes tjerash ai, transmeton Klina.info.
Banorët kishin kontribuar me një shumë prej 7,000 eurosh për të riparuar kulmin e dëmtuar nga reshjet, por cilësia e dobët e punimeve ka sjellë pasoja të rënda.
Për më tepër, ndërhyrja për shuarjen e zjarrit ka shkaktuar dëme shtesë, pasi uji ka depërtuar në banesat e katit të fundit, duke rritur kostot e riparimeve.
Banorët kërkojnë llogaridhënie nga organet komunale dhe punëkryesi, duke theksuar se kjo situatë ishte e parashikueshme dhe e evitueshme.