Në çdo intervenim që bëjnë jeta e tyre është e rrezikuar.
Madje shpeshherë ata përfundojnë të lënduar për punën që bëjnë për shuarjen e zjarreve.
Të enjten, një zjarrfikës sa ishte duke intervenuar në terren vdiq, ndërsa arsyet që dërguan deri tek kjo vdekje ende nuk dihen.
Pavarësisht rreziqeve, zjarrfikësit në Kosovë vazhdojnë të përballen me kushte jo të mira të punës, pa shtesa të rrezikshmërisë e pa sigurim shëndetësor.
“Ka shumë vite që shërbimi i zjarrfikësve dhe shpëtimit, ka mbetur i pa trajtuar as profesionalisht e as ligjërisht, por as edhe teknikisht, kur i them këto atëherë mendoj qoftë në kushtet apo pajisjet pastaj në të mirat materiale por edhe në pagat e tyre që nuk janë të dinjitetshme”, ka thënë Tahir Ahmeti- ekspert i emergjencave.
Për këtë, Ahmeti kërkon intervenimin e dorës së shtetit.
“Ky shërbim në të vërtet ka nevojë për investime të shumta, qoftë në mjete dhe pajisje, qoftë edhe në pagesën e rrezikshmërisë”, thotë ai.