Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një grua nga Gjakova, e cila ka raportuar se djali i saj 17-vjeçar ka dalë nga shtëpia qe disa ditë dhe nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Siç mëson Sinjali, i mituri ishte larguar nga shtëpia më 31 gusht dhe që prej asaj dite s’dihet asgjë për fatin e tij.
Përballë kësaj situate, familja vendosi që ta njoftojë Policinë.
Denoncimi i nënës ka aktivizuar njësitet policore, me ç’rast është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet për gjetjen e tij dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.