Edhe pse kanë mbetur më pak se 15 ditë nga zgjedhjet e reja, rezultati i tyre po pritet të jetë i befasishëm e madje formimi i qeverisë po konsiderohet i paparashikueshëm, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Ndonëse që nga paslufta janë mbajtur gjashtë palë zgjedhjesh, këto të fundit, që do të mbahen më 6 tetor, po konsiderohen të jenë më të paparashikueshmet. Se kush do të udhëheqë me qeverinë e ardhshme pritet të jetë befasi, për shkak të rezultatit të ngushtë që partitë politike patën në mes vete në zgjedhjet e kaluara, por edhe për arsye se në këto zgjedhje tri nga subjektet më të mëdha politike kanë garuar të vetme.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se është herët të konkludohet se kush mund ta formojë qeverinë, por ata theksojnë se nuk duhet të jenë të habitshme kombinatorikat e ndryshme të partive në këto zgjedhje, të cilat siç thonë ata, varen nga interesat personale e partiake për pushtet.
Analistët nënvizojnë se mundësi më të vogla për të improvizuar do të jepte koalicioni parazgjedhor mes LDK-së e LVV-së, i cili ende nuk është provuar nga qytetarët, ndonëse nuk e përjashtojnë asnjë mundësi të jetë i njëjtë me qeverisjet e kaluara…