Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” në Pejë, në bashkëpunim me Komunën e Klinës, ka kënaqësinë të njoftojë organizimin e manifestimit tradicional “Zëri i Vëllazërisë 2025”, i cili do të mbahet më 25 Prill 2025, duke filluar nga ora 12:00, në qytetin e Klinës.
Ky manifestim zhvillohet në nder të Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, kur u ngrit flamuri ynë kombëtar nga Ded Gjo Luli, si dhe në përkujtim të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të atdhetarit Rrok Dedvukaj.
Në këtë ngjarje madhështore do të marrin pjesë shoqata dhe përfaqësues nga trevat tona etnike, përfshirë: Shoqatën Atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra, Postriba, Malësia e Madhe, Rozhaja, Peja, Klina, Istogu, Deçani, Skënderaj dhe Drenasi.
Manifestimi do të zhvillohet në dy pjesë:
Pjesa e parë:
I kushtohet Kryengritjes së Malësisë së Madhe (1911) dhe njëvjetorit të ndarjes nga jeta të atdhetarit Rrok Dedvukaj.
Pjesa e dytë:
Program artistik i përbashkët me pjesëmarrës nga të gjitha trojet etnike, ku do të performojnë këngëtarë, valltarë dhe poetë që do të sjellin vlerat tona kulturore e kombëtare.