Zenun Elezaj uron qytetarët për Vitin e Ri 2025: Klinës i presin projekte të reja

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët me rastin e ndërrimit të moteve, duke reflektuar mbi sukseset dhe sfidat e vitit që po lëmë pas, shkruan Klina.info.

“Qytetarë të dashur, shumë të respektuara familje të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, tashmë kur po numërojmë orët e fundit të vitit, reflektojmë për sfidat dhe sukseset që kemi pasur. Viti që po lëmë pas ishte me shumë suksese dhe projekte të realizuara për qytetin e Klinës dhe në dobi të qytetarëve,” theksoi kryetari Elezaj.

Ai veçoi arritjen e rëndësishme të Komunës së Klinës, e cila është renditur ndër komunat më transparente dhe llogaridhënëse në nivel vendi, një vlerësim i bërë nga institucione dhe organizata joqeveritare kredibile. Kjo punë, sipas tij, ka sjellë përfitimin e Grantit të Performancës Komunale, me mjete që do të përdoren për projekte të rëndësishme në vitin 2025.

Kryetari falënderoi bashkëpunëtorët dhe stafin komunal për angazhimin dhe përkushtimin gjatë vitit 2024, ndërsa nuk harroi të kujtojë edhe sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit.

“Falë sakrificës së tyre, ne sot festojmë të lirë. Me shpresën që 2025-ta të jetë vit i mbarë, i begatshëm dhe i suksesshëm për të gjithë, ju shpreh urimet më të përzemërta në emrin tim, të familjes sime dhe të Komunës së Klinës. Shëndet, begati dhe çdo të mirë! GËZUAR!” përfundoi Elezaj.

Komuna e Klinës duket e gatshme të vazhdojë me projekte të reja dhe angazhime në të mirë të qytetarëve në vitin që po vjen.