KOMUNA E KLINËS NË BASHKËPUNIM ME ORGANIZATËN HELP KOSOVA NDANË 32 GRANTE
Vitin e kaluar, kur po përgatisnim programin zgjedhor, bashkë me ekipin tim kemi paraparë dhe premtuar para qytetarëve edhe dhënien e granteve, në pajisje, për bizneset e udhëhequra nga gratë dhe të rinjtë, në bashkëfinancim me organizata apo institucione të ndryshme.
Jam shumë i lumtur t`ju njoftoj se edhe pse kanë kaluar vetëm pak muaj nga marrja e mandatit të dytë ky premtim po realizohet, sepse sot 32 përfitues nga komuna e Klinës nënshkruan kontratat për grante në kuadër të projektit “Fuqizimi socio-ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë Gjermane dhe komuna e Klinës.
Nëpërmjet këtij projekti ofrohen pajisje në mënyrë që përfituesit të mund të fillojnë apo të zhvillojnë bizneset e tyre, ndërsa vlera mesatare e një granti është 2 000 euro.
Si pjesë e projektit, Help Kosovo ka zhvilluar edhe trajnime, me qëllim të nxitjes së punësimit dhe zhvillimit të ndërmarrësisë dhe zgjerimit të mundësive të punësimit për përfituesit.