Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Dëshmorët e Qëndresës” në Gllarevë është një ndër shkollat më të mëdha në Klinë. Ajo ka afër 500 nxënës, ndërsa përveç numrit të madh të nxënësve, çdo herë nga kjo shkollë kanë dalë nxënës që kanë treguar suksese të jashtëzakonshme. Kjo si rezultat edhe i angazhimit të stafit mësimor e menaxherial të shkollës.
Komuna e Klinës sipas kryetarit Zenun Elezaj, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për nxënësit e mësimdhënësit e kësaj shkolle, vazhdimisht ka kërkuar donatorë ndërkombëtarë për rinovimin e shkollës.
“Ne kemi qenë përfitues të projektit të rinovimit të kësaj shkolle nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë. Projekti ka një vlerë afër 1 milion euro dhe përfshinë rinovimin e tërësishëm të shkollës, ku pas përfundimit të projektit nxënësve dhe mësimdhënëse do t`u krijohen kushte moderne të zhvillimit të procesit mësimor.
Planifikimet fillestare kanë qenë që të gjitha punimet të përfundojnë në muajin maj të vitit të ardhshëm, por sot gjatë vizitës që i kam bërë shkollës bashkë me drejtorin Qemajl Sejdija, kam kërkuar nga kompania punëkryese që të rrisin intensitetin e punimeve dhe që në gjysmëvjetorin e dytë nxënësit, të cilët vitin e ri shkollor 2023/24 e kanë filluar në shkollën në Përçevë, procesin mësimor ta zhvillojnë në ambientet e reja të shkollës, për çka mora zotim nga punëkryesi që do të realizohet”, ka shkruar Elezaj në njoftimin e tij në rrjetin social FB.