Kryetari i Komunës së Klinës dhe kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Zenun Elezaj, ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore në Klinë me një ngjarje të veçantë në Grabanicë, një nga zonat më të njohura për historinë e saj të lavdishme dhe sakrificën e atdhetarëve dhe dëshmorëve të kombit.
Në fjalimin e tij, Elezaj theksoi se besimi i qytetarëve për Aleancën është në rritje dhe se më 9 shkurt, Klina do të rreshtohet sërish për Kosovën Fituese.
Ai shprehu angazhimin e thellë të strukturave të partisë dhe besimin që qytetarët kanë në vizionin e Aleancës për një të ardhme më të ndritur të Kosovës, një perspektivë evropiane dhe forcimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me këtë angazhim dhe besimin që qytetarët kanë në vizionin tonë, Klina do të dëshmohet si bastion i Aleancës. Ndryshimi në skenën politike, përfaqësimin në parlament dhe qeverinë e ardhshme, do të nisë pikërisht nga qyteti i Klinës,” theksoi Elezaj.
Ai apeloi qytetarët të bashkohen për të bërë realitet ëndrrën për një Kosovë të fituar dhe një shtet më të fortë. Më 9 shkurt, vota e çdo qytetari të Klinës është e rëndësishme për të filluar ndryshimin që do të sjellë prosperitet dhe zhvillim.
Kjo ngjarje është një dëshmi e angazhimit të fortë të AAK-së për një të ardhme më të mirë, e cila do të mbetet në kujtesën e qytetarëve të Klinës dhe gjithë Kosovës.