Zenun Elezaj: Lajmi për pushimin e hetimeve ndaj Sokol Bashotës, shpresë për drejtësi dhe triumf

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka reaguar me gëzim pas lajmit të Gjykatës Speciale që njoftoi për pushimin e hetimeve ndaj ish-kryetarit të komunës dhe bashkëqytetarit të tij, Sokol Bashota.

“Njoftimi se janë pushuar të gjitha hetimet ndaj Sokol Bashotës më gëzoi pa masë. Ky është një lajm i gëzueshëm dhe shpresëdhënës, jo vetëm për Sokol Bashotën, por edhe për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët padrejtësisht po akuzohen,” u shpreh Elezaj.

Ai theksoi se ky zhvillim është një fitore për pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“Unë gjithmonë kam besuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, dhe ky është një hap drejt vërtetimit të kësaj. Shpresoj që edhe krerët e tjerë të UÇK-së, që padrejtësisht po mbahen në Hagë, të kthehen triumfues në Kosovën tonë të dashur, për çlirimin e së cilës sakrifikuan shumë,” shtoi ai.

Në fund, Elezaj bëri thirrje për liri për të gjithë çlirimtarët, duke shprehur bindjen se drejtësia do të fitojë.

“Liri për të gjithë çlirimtarët!” përfundoi ai.