“Grumbullimi i sistematizimi i dokumenteve, të dhënave e fakteve për krimet e dëmet e kryera nga shteti serb gjatë luftës në Kosovë është një ndër proceset më të nevojshme”, kështu ka thënë kryetari Zenun Elezaj gjatë një takimi të rëndësishëm me drejtorin e IKKL-së, Atdhe Hetemi, zyrtaren e IKKL-së, Kimete Haxholli.
Ky është njoftimi i plotë i kryetarit Elezaj në FB:
Kjo është e rëndësishme për t`i dokumentuar dëmet e krimet e luftës, për të pasur të dhëna më të plota e të sakta për krimet e luftës, por edhe të pasur të dhëna të mjaftueshme për hulumtime të ardhshme nga studiues e për t`i pasqyruar këto fakte gjeneratave të ardhshme, pasi e kaluara jonë e dhimbshme nuk duhet të harrohet.
Për të diskutuar për këtë çështje dhe për të thelluar bashkëpunimin, bashkë me nënkryetaren Marqe Selmanaj dhe udhëheqësin e sektorit të arkivit, Kujtim Millaku, sot kemi pritur në takim drejtorin e IKKL-së, Atdhe Hetemi, zyrtaren e IKKL-së, Kimete Haxholli, të cilët i falënderova për angazhimin e tyre në këtë proces dhe e konfirmova gatishmërinë time dhe të Komunës së Klinës për të kontribuar në zbardhjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Me këtë rast, me qëllim të ndriçimit të vërtetës tonë historike, i kemi dorëzuar Institutit për Krime të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë(IKKL), një pjesë të rëndësishme të dokumentacionit arkivor që ka Komuna e Klinës. Këtu janë të përmbledhura video, fotografi, dokumente të rëndësishme që vërtetojnë për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Krimet e kryera nga Serbia në Kosovë duhet të dokumentohen, të mblidhen dëshmi, të sistemohen dhe asnjëherë nuk duhet të harrohen. Ne do të kontribuojmë në këtë proces shumë të rëndësishëm.