Sot, me hoxhën e nderuar, humanistin Halil Kastrati nga Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e 10 shtëpive të reja për 10 familje në nevojë nga Komuna e Klinës.
“Bashkë i kemi vizituar edhe disa nga familjet skamnore, ku kemi parë kushtet e rënda në të cilat jetojnë dhe u kemi dhënë lajmin e mirë për ndërtimin e shtëpive që do të fillojë së shpejti.
Ndërtimi i këtyre shtëpive do të financohet nga buxheti i Komunës dhe ai i shoqatës nëpërmjet donacioneve nga njerëz vullnetmirë e zemërgjerë.
Falënderoj hoxhën Halil dhe përfaqësuesit e shoqatës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kemi pasur tash e disa vite, ku përfitues kanë qenë dhjetëra familje që janë bërë me shtëpi e qindra të tjera janë ndihmuar në forma të ndryshme.
Falënderim i madh për njerëzit vullnetmirë, që me donacionet e tyre po bëjnë të mundur punën e madhe bamirëse të hoxhës Halil dhe shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.,shkruan Elezaj në njoftimin e tij në FB.