Leo Messi ishte një nga të nderuarit me “Medaljen e Lirisë”, dekorata më e lartë që qeveria e Shteteve të Bashkuara jep për individë me “kontribute shembullore në prosperitetin, vlerat ose sigurinë” e këtij vendi, “paqen botërore ose përpjekje të tjera sociale, publike ose private të rëndësishme”. Megjithatë, ai nuk ishte i pranishëm për ta marrë atë nga duart e Joe Biden, president të Shteteve të Bashkuara.
Sipas medieve lokale, arsyeja ishte “problemet e agjendës”, të cilat e bënë të pamundur që Leo Messi, i cili nuk ndodhet në Shtetet e Bashkuara, të ishte i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë.
Në fakt, nga Argjentina theksojnë se ‘ylli’ i futbollit e njoftoi me kohë mungesën e tij dhe u ofrua ta merrte dekoratën kur të rikthehej në vendin ku luan si pjesë e ekipit të Inter Miami.
Leo Messi e mësoi se do të nderohej me këtë “Medalje të Lirisë” në fund të dhjetorit, kur kishte marrë tashmë disa angazhime në Argjentinë, duke e bërë të pamundur praninë e tij në Shtetet e Bashkuara këtë të shtunë për ta marrë medaljen nga Joe Biden.
Pasi e mori vesh, ai dërgoi një mesazh falënderimi për presidentin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Inter Miami, në emër të tij, dërgoi një letër duke e cilësuar si një “nder të thellë” dhe një “privilegj të madh” marrjen e kësaj dekorate.