Nga selia qendrore e NATO-s në një përgjigje për Gazetën Express kanë konfirmuar se gjendja e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se shtimi i përkohshëm i trupave të KFOR-it ndërlidhet vetëm me ushtrimin që do të drejtohet nga NATO e që do të zgjasë deri më 2 nëntor. Nga NATO thonë se janë në kontakt edhe me institucionet e sigurisë në Kosovë por edhe me shefin e mbrojtjes serbe dhe theksojnë se janë të gatshëm të marrin çdo masë për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët bazuar në mandatin e tyre. Nga NATO vlerësojnë se e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme është që Kosova dhe Serbia të zgjidhin çështjet mes tyre përmes dialogut dhe që të arrihet një zgjidhje që respekton të drejtat e gjitha komuniteteve. Për këtë arsye thonë se mbështesin dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Sa herë që Republika e Kosovës merr vendime me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit ne pjesën veriore të vendit, gjithmonë krijohen tensione. Kështu kishte ndodhur edhe mbrëmjen e fundit muajit korrik, kur pritej që nga data 1 gusht të hyjnë në fuqi masat e reciprocitetit për dokumente të hyrje-daljes dhe për targat e veturave. Me ndërhyrjen ndërkombëtare një vendim i tillë i institucioneve të Kosovës u shty për një muaj, periudhë kohore që rezultoi me marrëveshje për kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftim, derisa për heqjen e targave ilegale dhe regjistrimin veturave me tabela RKS ka kohë deri më 31 tetor.
Periudha e fundit e muajit tetor dhe ditët e para të nëntorit, kohë kjo edhe kur përfundon afati për kthim të targave ilegale në RKS dhe pastaj veturat me targa “KM” e të tjera konsiderohen si të paregjistruara është raportuar se mund të përcillet me tensione.
Madje Reuters në një raportim të fundit, këtë çështje e ka ndërlidhur edhe me ardhjen e disa trupave shtesë të KFOR-it, që do të qëndrojnë në Kosovë deri më datë 2 nëntor dhe do të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar.
Por a ndërlidhet vërtetë ky shtim i përkohshëm i trupave të KFOR-it me frikën se mund të ketë ndonjë tensionim të situatës, apo është thjeshtë vetëm një rritje e përkohshme trupash që do të marrin pjesë në ushtrime? –
Lidhur me këtë për Gazetën Express ka folur një zyrtar i NATO-s, i cili ka konfirmuar se trupat shtesë që kanë ardhur nga Mbretëria e Bashkuar do të marrin pjesë në një ushtrim rutinë të misionit të KFOR-it që do të zgjasë nga 27 shtatori deri më 2 nëntor, gjë që ishte thënë edhe në njoftimin zyrtar të para disa ditëve nga vetë KFOR-i.
“Trupat shtesë të përmendura janë dislokuar si pjesë e një stërvitjeje rutinë për një nga njësitë e saj rezervë, të cilën misioni i KFOR-it të udhëhequr nga NATO do ta kryejë nga 27 shtatori deri më 2 nëntor 2022. Një kontingjent ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar mbërriti në Kosovë më 11 shtator për aktivitetet e njohjes dhe integrimit me asetet dhe personelin e KFOR-it përpara stërvitjes. Njësitë do të kryejnë aktivitete stërvitore për të ruajtur nivelin e lartë të gatishmërisë. Në përfundim të stërvitjes, kontingjenti ushtarak do të niset nga Kosova”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s për Gazetën Express.
I pyetur nëse ka një vlerësim të situatës së sigurisë në Kosovë, ky zyrtar i NATO-së ka thënë se “situatë në tërë Kosovën është përgjithësisht e qetë”.
Ai ka shtuar tutje se KFOR-i është vigjilent dhe se komandanti i KFOR-it “mbetet në kontakt me organizatat e sigurisë në Kosovë dhe shefin serb të mbrojtjes”.
Tutje në përgjigje, ky zyrtar i NATO-s ka thënë se KFOR-i është i gatshëm “të marrë çdo masë që është e nevojshme për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt për lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës në përputhje me mandatin e KFOR-it bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që u miratuar në vitin 1999”.
“Në fund të fundit, e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme është që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e gjitha komuniteteve. Kjo është arsyeja pse NATO vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka përfunduar ky zyrtar i NATO-s./GazetaExpress/