“Yamal është lojtar i jashtëzakonshëm, por nuk e ka magjinë e Messit”

Fabio Capello foli gjatë prezantimit të të nominuarve për çmimet “Laureus 2025”. Ish-trajneri i Milanit dhe Real Madridit, tani ambasador i “Laureus”, u pyet për Lamine Yamal. “Është një djalosh që po bën gjëra të rëndësishme.

Kur nisi te Barcelona, u tha se ishte ‘Messi i ri’, por jo, nuk arrin në atë nivel. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, spektakolar, i nivelit më të lartë, por nuk ka genin e Messit”, – tha ai për talentin 17-vjeçar të Barcelonës, i cili është një nga kandidatët për çmimin e cituar më sipër.

Capello gjithashtu tregoi preferencën e tij për fituesin e çmimit “ekipi më i mirë”, mes Real Madridit, Barcelonës (ekipi i femrave) dhe kombëtares spanjolle: “Duhet ta fitojë kombëtarja e Spanjës. Është ekipi i të gjithë vendit.

Spanja ka gjithmonë cilësi; trajneri ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Ai ka bashkuar këta lojtarë, ka krijuar frymën e ekipit. E fituan titullin kundër Anglisë, që gjithmonë shkon larg, por nuk fiton kurrë”.

Tekniku italian komentoi edhe situatën e Real Madridit: “Me lojtarët që ka, është një ekip spektakolar. Vlen të shkosh në stadium për t’i parë kur luajnë”.

Italiani reflektoi edhe mbi dominimin e futbollit spanjoll: “Në Spanjë luhet futbolli më i mirë që mund të shohësh. La Liga ka lojtarë të jashtëzakonshëm, si vendas, ashtu edhe të huaj. Spanja është kampione e Europës, ka fituar Champions League. Skuadrat iberike fitojnë shumë tituj. Për të dytin vit radhazi, të gjithë të nominuarit në futboll janë spanjollë. Të dominosh në këtë mënyrë është diçka e vështirë”.