Sukseset e sportistëve kosovarë në botën e xhudos tashmë janë të padiskutueshme.
Të suksesshëm ishin edhe të rinjtë që udhëtuan drejt turneut “Sakura Cup” në Kroaci.
Tetë nga njëmbëdhjetë sportistët e klubit “Ippon” morën medalje: 3 të arta, 2 të argjendta dhe 3 të bronzta.
Lajmin e ka bërë të ditur i pari i këtij klubi, Driton Kuka, i cili nuk ka hezituar të ndajë entuziazmin e tij për këtë sukses.
“Një grup i xhudistëve të rinj të klubit të xhudos “Ippon” nga Peja garuan në Kroaci në turneun Sakura Cup. Në një konkurrencë të fortë u arritën 8 medalje 3 të arta 2 të argjendta e 3 të bronzta. Me ekipin udhëtuan Fatosi e Meli dhe ata sot udhëtojnë në Slloveni në stërvitje të përbashkëta në qytetin e Celjes. Xhudo të bukur e atraktive nga klubi ynë kishin Enise, Erlulja, Roni por edhe të tjerët treguan për të ardhme të ndritur të sportit tonë në të ardhmen” ka shkruae Kuka në facebook.
Xhudo aktualisht është një nga sportet me më së shumti medalje të siguruara për Kosovën, duke e vendosur flamurin e shtetit në mesin e atyre më eminente në botën e sportit.