Xhiro e 22-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll nis sot me dy ndeshje në program.
Ballkani do të jetë nikoqir i skuadrës së SC Gjilanit.
Lideri do të kërkojë t’i rikthehet fitoreve pas humbjes në mesjavë të pësuar nga Drita.
‘Portokallinjtë’ vazhdojnë të qëndrojnë lider në tabelë me 44 pikë, por përcjellësi i dytë, Llapi tani iu është afruar në vetëm një pikë, me 43 të mbledhura, e përcjellur nga Drita me 40 pikë.
Gjilani ndërkohë vjen pas një humbje minimale nga Dukagjini, me skuadrën gjilanase që tashmë ndodhet në një ecuri prej gjashtë ndeshjeve pa fitore (4 barazime, 2 humbje), me të fundit të arritur më 2 dhjetor 4-0 në udhëtim ndaj Lirisë. Skuadra gjilanase ndodhet në pozitën e 8-të me 21 pikë të mbledhura.
Dueli tjetër që do të zhvillohet sot është ai mes Malishevës dhe Feronikelit.
Malisheva ndodhet në superformë aktualisht në Superligën e Kosovës, ku ka fituar 5 nga 6 ndeshjet e fundit, në përjashtim të humbjes 2-1 ndaj Dukagjinit. Pas kësaj forme të mirë, ata ndodhen në pozitën e 4-të me 35 pikë të mbledhura.
Feronikeli ndërkohë ka fituar dy duelet e fundit, ndaj Fushë Kosovës dhe Dukagjinit, dhe pozicionohet në vendin e 7-të me 23 pikë.
Të dyja duelet fillojnë nga ora 13:00.