Ish-kryetari i Vushtrrisë dhe kandidati për deputet nga LDK, Xhafer Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryetarit aktual të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, lidhur me konceptin e mësimit gjithëditor.
Në një postim publik, Tahiri shprehet se Idrizi nuk ka kuptuar idenë dhe zbatimin e këtij modeli arsimor. Ai ka sqaruar se mësimi gjithëditor, sipas konceptit të LDK-së, përfshin fillimisht vetëm nxënësit e klasave 1-5, duke përmendur se ky model po pilotohet me sukses në Prishtinë.
“Sa nxënës ka Vushtrria në klasat 1-5? A e di këtë numër? Sa shkolla punojnë me një ndërrim në komunën tonë? Në mandatin e kaluar, lamë të gatshme për këtë projekt 10 shkolla që plotësojnë kriteret e nevojshme,” pyet publikisht Tahiri, duke theksuar mungesën e përgatitjes dhe vizionit të kryetarit aktual.
Tahiri ka listuar edhe shkollat që mund të fillojnë menjëherë me mësimin gjithëditor:
1. Pantinë
2. Druar
3. Novolan
4. Stanoc i Epërm
5. Ashlan
6. Stroc
7. Lumadh
8. Dumnicë
9. Maxhunaj
10. Zhilivodë
Sipas Tahirit, këto shkolla kanë infrastrukturën dhe organizimin me një ndërrim, që mundëson implementimin pa vështirësi. Ai shton se mësimi gjithëditor nuk është një ide e largët, por një zgjidhje konkrete me benefite për nxënësit dhe prindërit.
“Fatkeqësia është që Komuna, nën drejtimin tënd, nuk ka as vullnet dhe as njohuri për të zbatuar këtë projekt. Qytetarët e Vushtrrisë meritojnë udhëheqës me vizion dhe përkushtim për të avancuar arsimin,” përfundon reagimin e tij Xhafer Tahiri.