Deontay Wilder e ka kritikuar Tyson Fury për mungesë të forcës, duke thënë se britaniku i ka grushtet e buta si jastëk dhe ka pretenduar se nuk kishte ndier dhimbje nga goditjet e tij në meçin e tyre të parë.
Dy rivalët në boksin e peshave të rënda u përballen sy me sy në një konferencë për media të shtunën në Los Angeles, para rimeçin të 22 shkurtit, ku Wilder do ta mbrojë titullin në WBC, transmeton Klina info.
Wilder e pranoi se ishte hutuar nga parashikimi guximtar i Fury se do të fitojë pas dy rundeve me nokaut, duke thënë: “Strategjia e tyre? Nuk e di si ta marrë. A po përpiqen ata të më qesin nga loja?”
“Nuk e di se çfarë do të bëjë ai. Ai është i çmendur. Ai beson në fitore, prandaj më duhet t’i besoj. Ama është ndryshe kur futesh në ring. Unë e kam goditjen më të fuqishme në histori të boksit”, tha Wilder.
Boksieri amerikan këmbëngul se Fury nuk ka shanse ta përmbushë premtimin për të fituar me nokaut ndaj tij.
“Nuk mendoj se mund t’ia dalë ai. Nuk e kemi parë duke e bërë këtë. Unë nuk i kam ndier goditjet e tij. Mendoj se Fury i ka grushtet si jastëk. Ai ka aftësi por jo të gjitha”, shtoi ai. /Klina info/