Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Klinë, më 28 qershor 2024, ka mbajtur konferencë për media, duke listuar me fakte sipas tyre shkeljet dhe parregullsitë e shkaktuara nga ekzekutivi në Komunën e Klinës në fushën e arsimit.
Përmes një postimi në FB nga kjo parti thonë se Komuna ka reaguar vetëm për çështjen e blerjes së vendit të punës, duke lënë të nënkuptohet që shkeljet e tjera nuk i bëjnë përshtypje dhe se ata u qëndrojnë pas të gjitha atyre.
“Ne, si subjekt politik, kemi për obligim t’ju informojmë për çdo parregullsi dhe shkelje që ndodh në komunën tonë.
Rikujtojmë se z. Xhafer Bashota, në tetor të vitit 2023, asokohe mësimdhënës në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi”, pasi u informua për një rast të punësimit me mito, respektivisht blerjes së vendit të punës së mësimdhënëses ku ishte informuar nga një familjar i ngushtë i të punësuarës, ndër këtë ndau edhe shumë shqetësime tjera me kryetarin duke i dërguar një letër. Megjithatë, të gjitha këto shqetësime hasën në vesh të shurdhër. Z. Bashota mori një përgjigje të thjeshtë në të njëjtën formë me datë 23.10.2023, bashkangjitur e gjeni edhe letrën e pranuar nga kryetari, ku ndër të tjera thuhej që nëse ka shkelje të tilla, “të lajmërohet tek organet kompetente”. Po ashtu, vlen të ceket se kryetari ishte i informuar nga një familjar i të punësuarës edhe para se z. Bashota t’ia dërgonte letrën. Vetë kryetari ka heshtur për faktet që i kishte në dorë, duke përmbushur elementet e veprës penale të “Moslajmërimit të veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, paragrafi 1, nënparagrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Z. Bashota i është drejtuar qytetarëve në një konferencë për media për këto parregullsi me datë 28.06.2024 në pozicionin e anëtarit të kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Klinë. Është shumë e dhimbshme se si Komuna e Klinës për nëntë muaj nuk ka reaguar fare, dhe tani, pasi që z. Bashota ka dalë me një prononcim si anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Klinë, ky fakt është marrë parasysh. Edhe pse komuna ka qenë në dijeni më herët, kjo do të thotë se pushteti aktual nuk i sheh faktet dhe shqetësimet e adresuara nga qytetarët.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Klinë i bën thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këto denoncime dhe të trajtojnë me prioritet rastin korruptiv në komunën tonë. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë vigjilentë dhe të informojmë qytetarët për çdo shkelje që ndodh në komunën tonë, duke kërkuar drejtësi dhe transparencë në qeverisje”, shkruan VV.