Pas publikimit të raportit të BE-së për Kosovën, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Kosova mbetet vendi i fundit sa i përket rrugëtimit drejtë BE-së dhe se procesin integrues qeveria e vendit po e kupton si dialog me Serbinë.
Taulant Kryeziu, ish-zëvendësministër i Integrimeve Evropiane në qeverinë Kurti, tha se në procesin e integrimit evropian Kosova mbetet vendi i fundit sa i përket rrugëtimit drejtë BE-së.
Ai tha se kanë mbetur edhe dy muaj deri në fund të vitit dhe Kosova është zero për këtë vit në proces të integrimit, e që u shpreh se e tillë do të mbetet edhe vitin e ardhshëm.
Sa i përket raportit, Kryeziu tha se ka një dallim substancial se si i qaset kohës kur kryeministër i vendit ishte Albin Kurti dhe se si i qaset tash në Qeverinë e Avdullah Hotit. Ai tha se në kohën e Qeverisë Kurti raporti flet për zhvillim ekonomik, përkushtim në reforma evropiane, luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa kur flet për Qeverinë Hoti gjithçka lidhet me dialogun me Serbinë.
“Kjo qeveri procesin e integrimit evropian po e kupton dialog, dialog, dialog, dialog si dy palë të pabarabarta, dialog i cili nuk ka parime dhe dialog të cilin po donë ta zhvillojë Kosova me një qeveri e cila nuk ka legjitimitet qytetar për një proces kaq të ndjeshëm siç është procesi i dialogut i cili prek tema të rëndësishme të sovranitetit nacional dhe integritetit territorial. Kanë mbetur edhe dy muaj që të përfundohet ky vit dhe ne jemi zero në këtë vit në proces të integrimit, e tillë do të mbetet edhe vitin e ardhshëm derisa nuk e kanë të qartë se çka do të bëjnë me procesin e dialogut. Pra, çdo gjë është ndërthurur dhe është e lidhur me një proces dialogues e cila e ka rikthyer Serbinë si përcaktues të shtetësisë së Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kryeziu tha se procesi i integrimit evropian matet me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe jo me procesin e dialogut.
“Aktualisht ne nuk kemi asnjë matje të shkallës së zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, pra nuk është bërë asnjë matje se cili është niveli i zbatimit të saj. Agjenda evropiane e reformave të cilat janë reforma kyçe që burojnë nga MSA-ja nuk janë adresuar as gjysma e tyre, e që është dashur proces të përfundojë në vitin 2017. Prandaj, të gjitha këto tregojnë mungesën e vullnetit politik dhe jo seriozitetin e kësaj qeverie e cila ka vetëm një qëllim dhe rrinë në këmbë si rezultat i një pazari të cilin e kanë bërë Isa Mustafa dhe presidenti Thaçi për me e bë një qeveri për dialog, jo qeveri për halle dhe brenga të qytetarëve”, tha ai.
Si shqetësuese ai e ka vlerësuar mungesën e adresës politike sa i përket strukturës institucionale të procesit të integrimit evropian. Ai tha se kjo Qeveri e ka shuar Ministrinë e Integrimit Evropian dhe se fillimisht kishte marrë vendim për të hartuar koncept dokument ku themelohet Agjencia për Integrim Evropian, por që sipas tij, ekzekutivi, pritet që sot të shfuqizojë këtë vendim.
Kryeziu tha se tash fati i kësaj varet nga numrat që i kanë në Kuvend, derisa theksoi se nëse futet PDK në Qeveri mund të bëhet edhe ministri që të bëhet një pazar.
Ish-zv.ministri i Integrimeve tha se për katër muaj të qeverisjes së Hotit asnjëherë nuk ka mbledhur strukturat e brendshme sa i përket integrimit evropian.
Ndërsa, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, tha se këta që sot janë në Qeveri nuk kishin interes dhe vazhdojnë të mos kenë interes e as vullnet politik që të lejojnë që Kosova të ec tutje drejtë reformave evropiane.
Ajo tha se fraza më e shpeshtë që përdorët më së shumti thuajse në të gjitha raportet është fraza e mungesës së vullnetit politik.
“Komisioni Evropian edhe në këtë raport e ka rikonfirmuar se Kosova ka plotësuar kriteret të cilat i ka pasur për liberalizim të vizave, mirëpo kjo nuk mjafton që të bindim shtetet anëtare të BE-së të cilat do të votojnë veç e veç “për” apo “kundër” liberalizimit të vizave për Kosovën. Nëse tani po e shohim se liberalizimi i vizave është shumë larg sepse edhe tani është konfirmuar që nuk do të jetë as në mbledhjen e radhës të Këshillit. Prandaj, vërejtjet, problemet dhe ngecjet të cilat theksohen në këtë raport janë tejet të rëndësishme dhe duhet t’i trajtojmë një nga një me kujdesin më të madh. Ky raport sikurse raportet e tjera edhe një herë e ka rikonfirmuar se Kosova ka stagnuar në implementimin e reformës evropiane. Raporti vë në pah mungesën e vullnetit politik për të përmirësuar situatën e rëndë politike, ekonomike e sociale në vend. Edhe ky raport sikurse raportet e tjera të mëparshme flet për progres të mangët, për stagnim në reforma politike ekonomike”, tha ajo.
Pacolli ka folur edhe për gjetjet e raportit sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit, derisa ka theksuar se në raport për Qeverinë Kurti thuhet se ka pasur program qe ishte e gatshme të luftonte krimin dhe korrupsionin.
“Sa i përket rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe rasteve të krimeve të rënda e krimit të organizuar të profilit të lartë, regjistri i rasteve nga viti 2015 kur edhe ka filluar tani përmban vetëm një numër tejet të vogël të rasteve, pra vetëm 66 raste. Deri tani janë regjistruar vetëm 56 aktakuza, 36 raste të lidhura me korrupsionin dhe vetëm 20 raste të lidhura me krimin e organizuar. 13 raste ka pasur vendime përfundimtare, ndërsa vetëm 8 raste kanë përfunduar me vendim pjesërisht fajtor duke quar numrin e individëve të dënuar për shkelje të lidhura me korrupsionin në vetëm15…Sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar njëjtë sikurse edhe vitet e kaluar Kosova mbetet në një fazë të hershme. Kosova ka bërë progres të limituar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë këtu edhe hetimin dhe dënimin e rasteve të nivelit të lartë. Raporti tërheq vërejtjen se numri i dënimeve përfundimtare, hetimeve financiare dhe konfiskimin e aseteve të cilat i kanë fituar në mënyrë të paligjshme mbetet i vogël. Rastet e profilit të lartë jo gjithherë procesohen në kohën e caktuar, korrupsioni mbetet i përhapur dhe është shqetësim serioz”, tha ajo.
Deputetja Pacolli ka përmendur edhe gjetjet e tjera të raportit, derisa raportin e BE-së për Kosovën e ka quajtur si shumë të rëndësishëm dhe që duhet të merren parasysh të gjeturat aty.