Lëvizja Vetëvendosje thotë se në janar të këtij viti Qeveria u zotua se do t’i mbështeste komunat në lehtësimin e barrës së tatimit në pronë për qytetarët, duke filluar nga ata më në nevojë. Por kjo parti akuzon partitë opozitare pse nuk e falën tatimin në pronë, në Komunat që ato drejtojnë.
Për këtë, sipas kësaj partie, Qeveria inicioi ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Në të u përcaktua përfitimi për të gjithë tatimpaguesit nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro.
“Por ligji i miratuar nga Kuvend nga mazhoranca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me partnerët e saj u dërgua në Gjykatë Kushtetuese nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit që vjen nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj. Qëllimi ishte bllokimi dhe vonimi i zbatimit të ligjit, pra faljes deri në 100 euro i tatimit në pronë. Në fund të nëntorit 2023 Gjykata Kushtetuese konkludoi se Ligji nuk kishte asnjë pikë kundërkushtetuese dhe i njëjti hyri në fuqi”, thuhet në reagimin e VV-së.
Kur në fundin e vitit 2022 kishte hyrë në fuqi përllogaritje e re për tatimin në pronë, subjektet opozitare dhe Kryetarët e Komunave nga radhët e tyre ngritën zërin duke pretenduar se po flisnin në emër të qytetarëve dhe pamundësisë për ta paguar tatimin e rritur, thuhet në këtë reagim.
“Qeveria dhe mazhoranca jonë në Kuvend veproi. Komunat e udhëhequra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, asambleistët tanë anekënd Kosovës ndërmorën nismën e propozimit në Kuvende Komunale për faljen deri në 100 euro të tatimit në pronë. Por deri tani Qeveria dhe Këshilltarët tanë Komunalë kanë hasur në këto kundërshtime – në Kuvend kundërshtime e mosvotim nga opozita e PDK, LDK, AAK-së, në Gjykatë Kushtetuese nga asociacioni i komunave me përfaqësues të PDK-së dhe mbështetur nga LDK e AAK, në Kuvende komunal kudo që PDK, LDK janë shumicë”, thuhet në reagimin e VV-së.
Për këtë parti, kjo është një mundësi e humbur që të gjitha këto komuna nuk shfrytëzuan mundësinë e lehtësimit të borxhit të qytetarëve në këtë fundvit përmes ligjit që parashihte faljen e tatimit në pronë deri në shumë 100 euro.
Sipas Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka asnjë shpjegim e arsyetim të qëndrueshëm, të bindshëm apo në favor të qytetarëve për Kuvendet Komunale që drejtohen nga shumica PDK, LDK, AAK për të mos ta zbatuar këtë mundësi që ua dha ligji i iniciuar nga Qeveria.