Takimi që ka nisur në Kuvend të Kosovës në mes të krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të LDK-së, do të ketë në qendër të vëmendjes edhe sot postin e kreut të Kuvendit, që është zgjedhur me 26 dhjetor. VV e ka bërë të qartë se nuk e sakrifikon Glauk Konjufcën dhe për këtë ka ofruar ministri shtesë. Ndërsa, LDK vetëm pak orë para takimit nëpërmjet Agim Veliut e ka kërkuan pozitën e spikerit të Kuvendit, shkruan KlinaInfo.
Si asnjëherë më parë, në Kuvend të Kosovës, në ditën që u tha se do të finalizojë marrëveshjen apo do të tregojë se LV dhe LDK nuk përputhen në qëndrime janë mbledhur të gjitha fytyrat kyçe të të dy partive.
Nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend në takim momentalisht gjenden, Albin Kurti kryetari i partisë, dy nënkryetarët, Besnik Bislimi dhe Fatmire Kollçaku si dhe Albulena Haxhiu, anëtare e kryesisë. Sot ndërkaq, nuk është i pranishëm Glauk Konjufca që si kryetar i parlamentit është duke e përfaqësuar Kosovën në Bruksel.
Mirëpo, po kjo pozitë që po e ushtron tash e një muaj Glauk Konjufca është bërë pika e mos marrëveshjes në mes të dy partive.
KlinaInfo ka raportuar sot se LV-ja ia ka bërë të qartë LDK-së se nuk e shkarkojnë Konjufcën, teksa si kompensim për këtë ua ka ofruar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Pikërisht kjo ofertë e fundit e vendosur në tavolinë të diskutimeve, ka përçarë edhe më shumë partinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, disa prej figurave kyçe nuk pranojnë assesi marrëveshjen ku pozita e kryeparlamentarit nuk ju takon atyre.
Një prej më të zëshmëve kundër është edhe nënkryetari i parë i partisë, Agim Veliu që qëndrimin e tij e bëri publik sot para mediave.
Sot gjatë tërë ditës në LDK kanë mbajtur takim me Mustafën, anëtarët e kryesisë. Megjithatë, nuk u tha se a kanë shkuar në Kuvend me kërkesën e vjetër.
Shkurtimisht, para mediave, Isa Mustafa tha se po shkojnë për të bërë marrëveshje, e janë të përkushtuar.
Por, ajo se çka ra më së shumti në sy, ishte se për të parën herë, krerët e LDK-së, në takim shkuan të ndarë.
Ishte Mustafa që shkoi i shoqëruar nga nënkryetari, Lutfi Haziri dhe zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa.
Vjosa Osmani që siç ka raportuar sot KlinaInfo nuk ka pranuar që të negociojnë për shkarkimin e Konjufcës dhe ka thënë se do të pranonte që të udhëhiqet MPJ-në, në Kuvend ka shkuar e vetme.
Në anën tjetër, tre personat që po raportohet se kanë betonuar qëndrimet për koalicionin u panë në Kuvend duke hyrë së bashku. Agim Veliu u pa në shoqërim të Kujtim Shalës dhe Avdullah Hotit.
Tashmë ka gati një orë që ka nisur takimi. Dy partitë thanë se sot mund të jetë dita kur i jepet epilog zgjedhjes së këtyre diskutimeve që ka më shumë se tre muaj që kanë nisur. /KlinaInfo