Lëvizja Vetëvendosje ka shkruar se janë bërë 5 muaj që prej sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
VV përmes një postimi në “Facebook” e ka vënë në shënjestër Prokurorinë Speciale, për të cilin thotë se s’ka ngritur asnjë aktakuzë për këtë rast.
“Me 24 shkurt u bënë 5 muaj nga sulmi terrorist i organizuar nga Serbia me qëllim aneksimin e veriut. Deri tash janë shpalosur qindra prova dhe zbuluar pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në atë sulm. Por, edhe pas gjithë këtyre muajve dhe provave ende nuk ka asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për këtë rast”, thuhet në postim.
Partia e kryeministrit Albin Kurti e ka akuzuar disa herë Prokurorinë Speciale se nuk po punon, përkundër provave që pushtetarët thonë se ia kanë dhënë asaj.