Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për situatën në Kosovë e Procesin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë.
Vuçiq tha se me Ramën foli për pikëpamjet e ndryshme që kanë për situatën në Kosovë, për të cilat s’pranoi të japë detaje.
“Ne folëm edhe për pikëpamjet shpeshherë të ndryshme për situatën në Kosovë, por mendoj se do të ishte e padrejtë dhe e pasaktë të deklarohej kjo në prani të kryeministrit shqiptar”, tha Vuçiq, shkruan Euronews.rs.
Tutje, Vuçiq tha se me Ramën ka folur edhe për shkëmbimin tregtar mes Shqipërisë e Serbisë, duke thënë se “Ballkani i Hapur”, e ka rritur ndjeshëm atë
“Ajo iniciativë solli përfitime të mëdha për secilin prej nesh dhe besoj, mbi të gjitha për qytetarët tanë. Mendoj se në të ardhmen kjo iniciativë mund të kontribuojë në afrimin e mëtejshëm të njerëzve dhe për një jetë dhe standard më të mirë”, tha Vuçiq.