Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk ka hequr dorë nga kërkesa për një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka shtuar se “po kërkohet momenti më i mirë për të, për shkak se situata aktuale tashmë është e vështirë për serbët në Kosovë”.
“Çështja është se çfarë do të fitojmë kur të kërkojmë këtë seancë, por do ta bëjmë”, ka thënë Vuçiq për televizionin në shërbim të regjimit të tij, “TV Happy”.
Ai ka pretenduar se situata reale në Kosovë “është e vështirë, sepse serbët janë të persekutuar dhe arrestuar”.
“Kemi të bëjmë me një njeri irracional që nuk dëshiron paqe, ëndrra e jetës së tij është bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës, i mungon biografia e luftës, ai do të donte të ishte si Adem Demaçi apo Enver Hoxha… Serbët po e kanë gjithmonë e më të vështirë të jetojnë, kështu që shpresoj që në dy, tre muajt e ardhshëm, ta mbajmë situatën në këtë nivel, që të mos ketë përkeqësim, sepse çdo përkeqësim nënkupton pamundësinë e mbijetesës së popullit tonë në Kosovë”, ka thënë Vuçiq, transmeton Paparaci.
I pyetur për “sanksionet e vendosura ndaj Albin Kurtit”, Vuçiq është përgjigjur me një kundër pyetje – “cilat janë ato sanksione”.
Ai thotë se e di për sanksionet ndaj Millan Radoiçiqit, Aleksandar Vullinit, Millorad Dodikut, Zheljka Cvijanoviqit, Stevandiqit, por nuk e di se cilat janë “sanksionet ndaj Kurtit”.
Vuçiq pretendon se “Kurti është fajtori i vetëm për gjithçka që ndodhi në Kosovë, por se vetëm serbët po ndiqen, dhe se vetëm serbët po arrestohen dhe po mbahen përgjegjës”.
Duke komentuar pretendimet se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq, po bashkëpunon fshehurazi me Kurtin, presidenti i Serbisë ka thënë se “ky pretendim është turp dhe se nuk mund ta komentojë këtë, pasi vetëm dy njerëz janë “makth” për Kurtin – Millan Radoiçiqi dhe Aleksandar Vuçiqi”.
“Janë dy persona që janë makthi i tij – njëri ndodh të jem unë dhe tjetri, njeriu nga i cili kanë frikë, si ai ashtu edhe shërbëtorët e tij, është pikërisht njeriu për të cilin po flasim, të cilin e shohin pas çdo peme, pas çdo shtëpie dhe sa herë që shkojnë në ndonjë aksion në veri, u dridhen këmbët dhe duart sepse shohin Millan Radoiçiqin pas gjithçkaje”, dhe “kjo është pasi Millan Radojiçiqi është trim”, ka pretenduar Vuçiq.