Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave më armë zjarri në një hotel në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Ndërsa dy persona të tjerë të lënduar janë dërguar për tretman mjekësor.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend të ngjarjes.
“Sot rreth orës 13:20 policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në lagjen Arbëria të Prishtinës, saktësisht në një hotel. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor”- ka thënë Ahmeti.
Ndërsa dy persona të tjerë të lënduar, dyshohet me mjet të mprehtë, janë dërguar për tretman mjekësor, ka njoftuar Ahmeti.
Ajo ka njoftuar se aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.