I riu që u plagos para dy netësh në Vushtrri, ku u vra një 27-vjeçar, ka humbur jetën në Qendrën Klinike Universitare, ku ishte duke u trajtuar. Gjendja e tij ka qenë e rëndë që nga momenti kur u dërgua në QKUK dhe fatkeqësisht i njëjti nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve që mori,
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Mitrovicë, me ç’rast është bërë e ditur se viktima ka ndërruar jetë gjatë ditës së djeshme.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Ndryshe, pesë personat që po dyshohen se janë përfshirë në këtë rast tashmë ndodhen në ndalim policor. Ndaj tyre, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
I dyshuari kryesor lidhur me rastin është Jetmir Sinani, 24-vjeçar, i cili po hetohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, teksa katër të arrestuarit e tjerë, po dyshohen për veprën “Pjesëmarrje në rrahje”.
Gazeta Sinjali ka mësuar se përveç të dyshuarit Edin Beka, emri i të cilit u zbulua natën kritike, tre personat e tjerë që janë ndaluar për 48 orë janë Valdrin Qerimi, Baton Kutllovci dhe Ylli Mustafa – të cilët fillimisht janë marrë në pyetje si dëshmitar e më pas ndaj tyre janë ngritur dyshime për përfshirje në rast.