Gjykata Supreme e Kosovës ka vërtetur dënimin me 24 vjet e 10 muaj burg të të dënuarit Sylejman Ahmeti, i akuzuar për vrasjen e Shaip Krasniqit në Suharekë.
Rasti tragjik, i cili kishte ndodhur në janar të vitit 2020, në Maqitevë, dyshohet se kishte nisur pas mosmarrëveshjeve për një borxh prej 20 eurosh që viktima ia kishte vëllait të të akuzuarit.
Për vrasje të rëndë, shkalla e parë Ahmetit i shqiptoi 24 vjet burg kurse për armëmbajtje pa leje 10 muaj burg
Ky dënim ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë.
Kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër këtyre aktgjykimeve ka parashtruar mbrojtja e të akuzuarit, por kërkesa është refuzuar.
Supremja ka gjetur se aktgjykimet nuk përmbajnë shkelje për të cilat pretendohet.
“Gjykata Supreme pajtohet në tërësi me përfundimet e nxjerra nga ana e të dy gjykatave të instancave më të ulta gjyqësore dhe se nga arsyetimet e dhëna dalin se në veprimet e të akuzuarit janë realizuar të gjitha tiparet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën i njëjti është shpallur fajtor dhe është dënuar” – thuhet në arsyetimin e Supremes.
Supremja nuk ka pranuar pretendimet e mbrojtjes se vepra penale e vrasjes së rëndë ishte kryer në gjendje të tronditjes mendore.“Për më tepër gjendja e tij para dhe pas kryerjes së veprës penale duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat e veprimit të të dënuarit, krijojnë bindje të plotë se veprimet e tij janë të koordinuara dhe të planifikuara në mënyrë të hollësishme…” – sqarohet mes tjerash në aktgjykim.
Këto rrethana sipas Gjykatës Supreme po ashtu janë vërtetuar edhe në bazë të ekspertizës të përpiluar nga ana e IPFK-së dhe dëgjimit të ekspertit.
“Gjykata Supreme e Kosovës vlerësoi se në mënyrë të drejtë është zbatuar ligji penal nga të dy gjykatat e instancave më të ulta dhe të dënuarit i është shqiptuar dënimi i përcaktuar brenda kornizës së minimumit dhe maksimumit të dënimit të përcaktuar për veprat penale të shpallur fajtor” – sqarohet në aktgjykimin e Supremes.
Ky vendim është marrë me 26 korrik 2023, nga Rasim Rasimi, kryetar dhe anëtarët Agim Maliqi dhe Valdete Daka.
Gjykimi i Sylejman Ahmetit kishte filluar rreth tre vite më parë dhe ai kishte mohuar akuzat se ka vrarë shokun e tij, Shaip Krasniqin. Ndërkaq ka pranuar fajësinë për veprën penale – armëmbajtja pa leje.
Sipas Prokurorisë, në orët e vona të mbrëmjes, më 26 janar 2020, në një kafene të fshatit Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri vëllait të të akuzuarit, Sylejman Ahmeti e privoi nga jeta Shaip Krasniqin.
Në akuzë thuhet se fillimisht i ndjeri i ka thënë të akuzuarit: “A e di kë e keni sha ju, pa ta q* n* nuk e la, në qoftë se je burrë çu dil jashtë”, dhe nga aty i ndjeri ka dalë jashtë në oborr, ndërsa i akuzuari me shpejtësi është ngritur nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit ka dalë jashtë.
Prokuroria tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti ka shkuar te kamioneta e tij dhe nga aty ka marrë pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër ka shkrepur në drejtim të të ndjerit Shaip Krasniqi, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe fillimisht e ka goditur në fytyrë, i cili më pas u rrëzua në tokë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “çu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, e godet edhe disa herë me ç’rast i shkakton tetë plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.
Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.