Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të dyshuarve kryesorë për vrasjen e Liridona Ademajt, iu është vazhduar masa e paraburgimit.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Ajo ka njoftuar se masa e paraburgimit iu është zgjatur të dyshuarve edhe për dy muaj.
Kjo masë do të llogaritet nga data 29 shkurt, deri më 28 prill.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 27.02.2024 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin.
Masa e paraburgimit të pandehurve iu llogaritet prej datës 29.02.2024 deri më datë 28.04.2024” ka deklaruar Gashi.
Murseli, Plava dhe Kokalla janë tre të arrestuarit nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se të njëjtit kanë inskenuar vrasjen e Liridona Ademajt.
Liridona u vra mbrëmjen e 29 nëntorit në Bernicë të Prishtinës, teksa po udhëtonte me veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murselin, si dhe dy fëmijët e tyre.
Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se, Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me Plavën për ta vrarë të ndjerën.
Paraprakisht, dyshohet se Murseli e ka pajisur me armë Granit Plavën, dhe së bashku kanë inskenuar grabitjen, duke bërë që Plava kinse po kërkon para nga familja Murseli, e cila në momentet e tragjedisë po udhëtonte me veturë.
Murseli dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë””. /