E ftohtë, e mërzitur, e rënduar si kurrë më parë, kjo është gjendja shpirtërore e Melihate Coklit nga Ferizaj, të cilës 5 muaj më parë ia vranë vajzën e saj, 20 vjece.
Eronën e privoi nga jeta ish- bashkëshorti i saj, pak muaj pasi ishin divorcuar, me të cilin kishin edhe një djalë.
Gjithë ngjarja ndodhi në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, derisa i dyshuari kishte orën e caktuar për ta takuar të birin, por qëllimi i tij doli të ishte ndryshe, ta qëllonte për vdekje vajzën që dikur u zotua se do ta donte për jetë. Me dhimbjen që e shtrëngon në gjoks, ajo uron që atë që e përjetoi shpirti i saj, mos ta përjetojë as edhe një nënë në botë.
Ditën thotë se e nis me Eronën, ashtu siç e zë gjumi me peshën e dhimbjes, e me lot që i përpinë jastëku i saj.
Me sy ende e kërkon në çdo cep të oborrit. Thotë se i digjet shpirti sa herë e kujton të kaluarën e vajzës dhe momentet kur ajo i rrëfehej për të kaluarën me ish- bashkëshortin e saj. Çdo lot që kalon duket se i djeg përbrenda çdo damarë brenda trupit të saj.
Megjithatë, thotë se shpirti i qetësohet sado pak, kur për vizitë vjen nipi i saj Ari, e që për të është pasuria më e madhe në jetë.
E mendon Eronën dhe duket se e ka të vështirë të nis edhe një ditë tjetër me mungesën e saj, me një mal dhimbjeje për të.