Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se kjo javë do të karakterizohet me mot kryesisht të ndryshueshëm. Gjatë ditës së sotme parashihen ulje të lehta të temperaturave maksimale.
Moti do të shoqërohet kryesisht me vranësira të stadit të ulët dhe të mesëm të troposferës të cilat parashihen të sjellin edhe reshje shiu.
“Të mërkurën mot kryesisht i vranët dhe me kushte për reshje shiu. Një mot afërsisht i ngjashëm me ditën e martë. Të enjten, parashihet të mbajë mot i vranët dhe me pak rreze dielli. Vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu, ndërsa sa i përket vlerave të temperaturave, ato mbesin pothuaj konstante me ditët tjera. Të premten, mot relativisht i qetë, me vranësira të ulëta dhe me intervale me diell. Në fushat termike nuk parashihet ndonjë ndryshim i theksuar me temperaturat e ditëve të fundit.
Gjatë gjithë këtyre ditëve të parashikimit ,temperaturat minimale në tërë territorin do të lëvizin ndërmjet 4-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-22 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit.