Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykimin dënues kundër të pandehurës M. Sh. për veprën penale, “Përvetësimi në detyrë”.
E pandehura M. Sh. është shpallur fajtore dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 12 muajsh dhe dënim me gjobë, në shumën prej 1000 euro, i cili dënim do të paguhet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjithashtu, e pandehura M. Sh., obligohet që palës së dëmtuar, institucionin mikrofinanciar “F.” t’ia kompensoj dëmin në shumën prej 23.977,60 euro pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
E pandehura është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 50 euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej 25 euro si dhe shumën prej 50 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të pandehurës M. Sh., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike e pandehura, nga janari i vitit 2018 deri në qershor të vitit të njëjte, në cilësinë e personit zyrtar si arkëtare në institucionin mikrofinanciar “F.”, në degën në Rahovec, ka marrë shumën e të hollave prej 14,200.00 euro, e po ashtu ka përvetësuar pagesat e ratave të kredive të 40 klientëve në shumë prej 9.777,50 euro dhe të njëjtat pagesa nuk i ka regjistruar dhe nuk i ka futur në arkë./Klina.info