Bashkia e Vlorës ka deklaruar të hapur sezonin turistik, në një ceremoni dhe situatë të pazakontë. Kreu i bashkisë Dritan Leli u shpreh se Vlora është gati për të pritur pushuesit, por gjithmonë duke respektuar protokollohet për sigurinë e shëndetit.
Premtimet për një sezon të suksesshëm janë për t’u parë pasi nëse vetë takimi përurues i çeljes së sezonit u desh të organizohej nën masa të rrepta, pikëpyetja shtrohet sa staf do duhet për ta bërë të mundur këtë në çdo metër katror plazh të Vlorës, shkruan A2.
“Të fillojmë nga sot një sezon turistik te suksesshëm, aq sa kushtet do të na lejojnë ta kemi”, tha Leli.
Kreu i operatorëve të jugut të vendit, Vasil Bedinaj, kërkoi përfshirjen në draft të hapjes së plazheve dhe kufijve me rajonin. Problemi përveç frikës nga virusi dhe frikës a do vijnë pushuesit, mbetet gjetja dhe vlerësimi i stafit që do të përballet çdo minutë me pushuesit.
“Duhet ta kthejmë çelësin nga situata alarmante, e stresit dhe frikës, tek një më shumë optimiste”, tha Bedinaj.
Bashkia e Vlorës edhe pse në kushte kur asgjë nuk parashikohet dot, nuk ka ngurruar të bëjë thirrje për pushuesit që të zgjedhin pikërisht Vlorën për të kaluar pushimet.