Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës njëherësh nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka komentuar përplasjen me nënkryetarin tjetër të kësaj partie, Agim Veliu, për arritjen e marrëveshjes me Vetëvendosjen.
Ajo ka thënë se me Veliun kanë pasur shumë dallime në qëndrimet për koalicionin, por ka thënë se në fund të dy votuan pro saj.
“Në shumë çështje kemi pas dallime, por jo të patejkalueshme. Edhe pse kishim arsyetimet e kundërta votonim njëjtë. Të dy votuam pro marrëveshjes. Jo vetëm që votoi pro, por ai është ministër i Qeverisë Kurti. Dëshmia është se arsyetimet i kemi të ndryshme, nuanca ka pasur, por në fund ishim pro koalicionit”, ka thënë ajo në emisionin Rubikon.
E pyetur se a e ka pasur Veliu entuziazmin për këtë marrëveshje njëjtë si ajo, Osmani u përgjigj se “absolutisht jo”.
“Askush s’e ka pasur entuziazmin që e kam pas unë për arritjen e koalicionit, as nga LDK-ja e as nga VV-ja”, ka shtuar Osmani.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Agim Veliu u zyrtarizua si ministër i ri i Brendshëm./