Shefi i stafit të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, Faton Peci, vlerëson se po bëhet fushatë e egër ndaj saj.
Peci ka nxjerr një postim në Facebook, ku shihet edhe një kërcënim në adresë të Osmanit. Pos armës së gjatë, komentuesi ka lënë edhe mbishkrimin me dëshirën e tij: “Trutë në tokë t’i kisha qitë”.
Kërcënimi është bërë në profilin e Osmanit.
Peci thotë se ajo ka tejkaluar nivelin e kërcënimeve.
“Fushata e egër kundrejt u.d. presidentes ka që një kohë të gjatë që po përcillet edhe me kërcënime me jetë. Të gjithë ata që po tentojnë t`i drejtojnë shtizat kah ajo, në fakt po i kthejnë kah vetja. Zonja Osmani është politikane që e ka kapërcyer stadin e kërcënimeve dhe tendencave për denigrim. Zonja Osmani për qytetarin e thjeshtë është personifikim i guximit e konsistencës, ndaj çfarëdo përpjekje për ta frikësuar apo kërcënuar është e kotë! Ajo ende guxon dhe sërish do të guxojë!”, ka shkruar Peci.
Një kërcënim të ngjashëm kishte pasur edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Komentuesi që kishte kërcënuar Thaçin kishte kërkuar falje pas arrestimit, por ishte gjobitur nga gjykata me 2.500 euro.
Osmani së bashku me Pecin e disa të tjerë do të garojnë në listën e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.