Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, i cili sonte në Rubikon tha se “diskush nga familja Osmani i ka shërbyer Serbisë, ndërsa unë e kam luftuar atë”.
Osmani tha se “Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje”.
Ky është postimi i plotë i saj:
Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime. Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje.
T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura. Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e qon vendin tonë drejt humnerës. Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri ateherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tonë.