Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet e grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane, raporton Gazeta Sinjali.
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në mesnatë në fshatin Nabergjan të Pejës, ku një person i paidentifikuar ka hyrë me forcë brenda shtëpisë së familjes Dreshaj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari ka arritur të depërtojë me forcë dhe ka vjedhur një armë e disa palë këpucë.
Rastin e ka denoncuar në Polici pronari i shtëpisë, ku dhe ka kërkuar ndihmë.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.